Në mungesë të fondeve, Kosova rrezikon shërbimin për parandalim të vetëvrasjeve
E diel, 17 nëntor 2019. Kjo datë është gravuar në kujtesën e Bind Skejës, drejtuesit të “Linjës së Jetës”, qendrës telefonike për parandalim të vetëvrasjeve në Kosovë.
Në atë datë, “Linja e Jetës” kishte marrë telefonatën e parë. Tani, gjashtë vjet më vonë, vullnetarët e angazhuar përgjigjen në qindra thirrje çdo muaj.
“Fillimisht, kemi pasur vetëm një telefon. Bateria na është ndalur disa herë në fillim, e pastaj, gradualisht, i kemi rregulluar pajisjet dhe e kemi vendosur orarin”, tregon Skeja për Radion Evropa e Lirë.