A janë zgjedhjet lokale mollë sherri për bllokadën institucionale?
Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Në Kosovë, momentalisht, nuk po ndodh asgjë – dhe, njëkohësisht, po ndodh gjithçka. Asgjë, sepse në mungesë të një qeverie me kompetenca ekzekutive, shumë punë kanë mbetur pezull. Dhe, gjithçka, për faktin se çdo 48 orë që mbahet seancë për konstituimin e Kuvendit, del një tezë e re se pse është katandisur situata deri në këtë pikë.